Basha thirrje qytetarëve: Bashkojuni protestave, qeveria ka rënë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur të gjitha institucionet e vendit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave popullore që do të organizojë opozita.

Loading...

“Situata e përgjithshme mund të përshkruhet me dy fjalë me kapjen e të gjitha pushteteve politike dhe të gjitha institucioneve nga një kryeministër autokrat i zhytur në korrupsion dhe i lidhur me krimin”, tha Basha për mediat, pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.

Basha tha se qeveria Rama ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, por “ duhet të marrë një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar. Për këtë arsye opozita ka vendosur dje të udhëheqë protestat qytetare deri në largimin e kësaj qeverie.”

Për kreun e demokratëve qeveria ka rënë, por çdo qytetar duhet t’i bashkohet betejës për demokraci dhe shtet ligjor.

“Një gjë është e sigurt: kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, ka rënë para syve të Europës dhe të gjithë botës sidhe para syve të socialistëve të ndershëm.”

“Së pari duhet të vijë beteja për shtetin ligjor dhe demokracinë. Dhe kjo betejë nuk mund t’i takojë vetëm opozitës, i takon çdo shqiptari të ndershëm, medias, shoqërisë civile që nuk majmet me paratë e qeverisë, por që qëndron për interesin e vendit.”

Të gjitha këto çështje, Basha tha se i kishte parashtruar edhe në takimin e sotëm me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Blok./tvklan.al